Saturday, November 6, 2010

sport

KASTRIOTI E KNJAZ MILLOSHI TAKOHEN NË SHKUP

imageNdeshjet e rrethit të tretë të Kupës së Fituesve të Kupave mes hendbollisteve të Kastriotit të Ferizajt dhe atyre të klubit serb Knjaz Milosh do të zhvillohen në Shkup. Kështu ka vendosur Federata Evropiane e Hendbollit (EHF) të enjten. Ndeshjet do të zhvillohen në palestrën "Kale" më 20 dhe 21 nëntor. Takimi i parë zhvillohet nga ora 14:00, ndërsa i dyti nga ora 13:00. Kjo është bërë e ditur të enjten mbrëma në sajtin zyrtar të EHF-së. Federata evropiane ka vendosur që këto takime të zhvillohen në terren neutral për shkak të situatës politike. Kastrioti kishte propozuar që takimet të luhen në Shkup, ndërsa Knjaz Miloshi kishte propozuar qytetin hungarez, Segedin. Kastrioti për herë të parë paraqitet në gara evropiane. Ndërsa klubi nga Arangjellovci i Serbisë në kupa evropiane luan rregullisht. Dy javë më parë në palestrën "Kale" në Shkup janë luajtur edhe takimet në mes hendbollisteve të Prishtinës dhe atyre të klubit rus Kuban Krasnodar. Rusët kërkuan të luajnë në terren neutral pasi vlerësuan se nuk kanë siguri për të luajtur në Kosovë. Ndeshjet në mes Prishtinës dhe Kubanit i takonin rrethit të dytë të Kupës së EHF-së. Në rrethin e tretë u kualifikua klubi rus që fitoi bindshëm të dy takimet.

No comments:

Post a Comment